Secondary Adv

Ministri Salla: Shtyhet me 10 ditë afati i aplikimeve për subvencionet e fermerëve

Afati i aplikimeve për subvencionet e fermerëve në Skemën Kombëtare të Bujqësisë është shtyrë me 10 ditë, njoftoi ministri Andis Salla gjatë një konference me homologun e Kosovës.


Ministri Salla tha se vendimi për shtyrjen e afatit është marrë për shkak të numrit të lartë të aplikimeve të regjistruara gjatë ditëve të fundit. Nga 26 qershori që ishte afati i fundit për aplikime, afati i ri do të jetë deri më 6 Korrik.


“Këto ditë kemi pasur një rritje të ndjeshme të numrit të aplikimeve. Për t’u dhënë mundësi sa më shumë fermerëve të bëhen pjesë e Skemës Kombëtare, kemi vendosur ta shtyjmë afatin edhe me 10 ditë”, deklaroi ai.


Sipas ministrit, deri më tani kanë aplikuar rreth 40 mijë fermerë, ndërsa interesi është shtrirë pothuajse në të gjitha 12 masat mbështetëse të skemës.


Ministri Salla theksoi se sektori i blegtorisë ka shënuar një interes të veçantë për aplikime, i nxitur edhe nga rritja e vlerës së mbështetjes për krerët e bagëtive.


“Blegtoria ka pasur një interes të shtuar për aplikime, duke përfituar nga rritja e vlerës për krerë. Siç e theksova, ditët e fundit numri i aplikimeve ka qenë maksimal. Me këtë shtyrje synojmë t’u japim mundësi edhe atyre fermerëve që nuk kanë arritur të aplikojnë brenda afatit fillestar”, u shpreh ministri.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat